Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premteje në aksin rrugor Lushnjë-Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal.
Në automjetin e marrë me qira udhëtonin tri motra dhe një foshnjë rreth dy muajshe.
Drejtuesja e mjetit dyshohet se nuk ka arritur të marrë kthesën, duke vijuar drejt dhe më pas ka përfunduar jashtë rrugës.
Fatmirësisht, kanali ku përfundoi automjeti nuk kishte ujë. Si pasojë e aksidentit, është lënduar lehtë njëra prej pasagjereve, e cila së bashku me foshnjën është transportuar në spitalin e Lushnjës për kontroll mjekësor.
Sipas informacioneve të para, raportohet se tri motrat jetonin në Angli dhe po udhëtonin drejt Beratit. Dyshohet se mungesa e ndriçimit në këtë segment rrugor mund të ketë ndikuar në aksident, pasi drejtuesja nuk ka arritur të dallojë kthesën.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti po lëvizte me shpejtësi brenda normave të lejuara. Në vendngjarje ndodhet policia, e cila po kryen veprimet për dokumentimin e aksidentit.











