Një 58-vjeçare është arrestuar në Tiranë, ndërsa një 27-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë mashtruar qytetarë duke u premtuar se do të ndërhynin pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zgjidhjen e çështjeve pronësore.
Sipas Policisë, dy gratë dyshohet se kanë përfituar mbi 100 mijë euro nga qytetarë të ndryshëm, ndërsa i kanë pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vunë në pranga shtetasen S. D., 58 vjeçe, ndërsa për shtetasen S. N., 27 vjeçe, nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të dyshimeve se ka bashkëpunuar në këtë veprimtari.
Gjatë operacionit u sekuestruan një shumë eurosh, e dyshuar se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe dy telefona celularë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e rasteve të tjera të dyshuara dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.











