Kanë kaluar pak minuta dhe tashmë protestuesit u grumbulluan te sheshi “Skënderbej” në Tiranë për të vijuar ditën e 22-të të protestës dhe marshuan drejt kryeministrisë.
Një pjesë e tyre janë tashmë para kryeministrisë pasi disa protestues kanë kaluar natën dhe ditën e sotme gjithashtu duke pritur nisjen e tubimit të sotëm. Njësoj si një ditë më parë, fjalimet i janë lënë diasporës.
Mbrëmjen e së shtunës pati një incident me një grup protestuesish të maskuar që përdhosën flamurin izraelit. Nga sheshi, aktivisti Arben Kola tha se bëhet fjalë për grupe të infiltruara mes tyre, duke shtuar se distancohen nga veprimi.
“Mes nesh dje apo ditë të tjera ka grupe të infiltruara. Ne ndoshta në ditët në vazhdim do të dalim edhe me fytyra e emra që t’i demaskojmë. Distancohemi dhe do të mbajmë një deklaratë”, tha Kola.
Për ngjarjen, ka pasur reagime nga Ministria e Jashtme që tha se është “akt i turpshëm”, fjalë të cilave u bëri jehonë edhe ambasadorja izraelite, Galit Peleg.
Ndërkohë, thirrjet e protestuesve vijojnë të jenë për dorëheqjen e kryeministrit Rama.











