Marc Cucurella po zhvillon një Kupë Bote të jashtëzakonshme dhe është kthyer në një nga simbolet e mbrojtjes së hekurt të Spanjës.
Mbrojtësi i majtë nuk është dribluar asnjëherë në fazën me eliminim të këtij Botërori. As Olise, as Dembélé, as yjet e tjerë të Francës nuk arritën ta kalonin në gjysmëfinale, ku Spanja e mbajti portën të paprekur ndaj një prej sulmeve më të frikshme të turneut.
“La Roja” ka ndërtuar një mur të vërtetë përpara Unai Simón. Gjatë gjithë Botërorit, vetëm Charles De Ketelaere ka arritur të shënojë ndaj mbrojtjes spanjolle, ndërsa skuadra ka ndalur Cape Verde, Arabinë Saudite, Uruguain, Austrinë, Portugalinë dhe në fund Francën.
Në këtë sukses kanë peshë emra si Pedro Porro, Laporte dhe Cubarsí, por Cucurella ka qenë një nga më të dalluarit. Ndaj Francës, ai neutralizoi Michael Olise, një nga lojtarët më në formë të sezonit, dhe Ousmane Dembélé, fituesin e “Topit të Artë” dhe kampionin në fuqi të Europës.
Të dy provuan të ndryshonin pozicione, herë në krah dhe herë në qendër, për t’i shpëtuar presionit të Cucurellas, por mbrojtësi spanjoll i konsumoi fizikisht dhe nuk i lejoi të krijonin epërsinë e zakonshme. Ai mori një karton të verdhë për një ndërhyrje të fortë ndaj Olise, por e mbylli ndeshjen me një tjetër statistikë të jashtëzakonshme: askush nuk e dribloi.
Momenti më i madh erdhi ndaj Mbappés, kur Cucurella ndërhyri në çastin e duhur dhe shmangu atë që mund të ishte një nga rastet më të pastra të Francës. Mbrojtësi e festoi si gol, ndërsa shokët e skuadrës e përgëzuan për një ndërhyrje vendimtare.
Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re as në dhomat e zhveshjes. Mikel Merino e quajti “tharëse”, për mënyrën se si i “shuan” kundërshtarët, ndërsa Fabián Ruiz ia tha hapur pas ndeshjes: “E hëngre të gjallë”, duke iu referuar duelit me Olise.
Por Cucurella nuk po shkëlqen vetëm në mbrojtje. Me Baenën që lëviz më shumë drejt qendrës, ai ka marrë përgjegjësinë për të hapur lojën në krahun e majtë, duke shtyrë përpara dhe duke dhënë krosime nga fundorja. Dy asistet ndaj Austrisë tregojnë se kontributi i tij ofensiv është po aq i rëndësishëm.
Vetë lojtari e kishte pranuar gjatë turneut se nuk është gjithmonë tipi që bie menjëherë në sy, por se i jep skuadrës shumë gjëra që ndoshta nuk duken në pamje të parë.
Tani, numrat flasin për të. Dhe siç tha Thierry Henry: “Cucurella është i jashtëzakonshëm. Njerëzit qeshin me të, por askush nuk e kalon.”











