Thibaut Courtois ka pranuar se Botërori 2026 mund të jetë i fundit për të me kombëtaren e Belgjikës.
Portieri i Real Madrid foli në konferencë për shtyp para debutimit në Kupën e Botës dhe la të kuptohet se pas turneut mund t’i japë lamtumirën kombëtares.
“Nuk e di nëse është momenti i duhur për të folur për këtë, por ka më shumë mundësi që të mos vazhdoj me kombëtaren pas Botërorit. Jam 34 vjeç dhe duhet të mendoj për trupin tim. Dua të luaj në nivel të lartë edhe për shumë vite”, u shpreh Courtois.
Ai theksoi se është normale të mendojë për një largim nga Belgjika, duke shtuar se brezi i ri është gati të marrë më shumë përgjegjësi.
“Ka ardhur koha t’ia kaloj stafetën një gjenerate të re. Ata janë gati”, tha portieri belg.
Sa i përket të ardhmes te Real Madrid, Courtois konfirmoi se dëshiron të qëndrojë edhe pas vitit 2027, kur i përfundon kontrata aktuale.
“Jam i qetë. Nëse vazhdoj të luaj në këtë nivel, rinovimi nuk do të jetë problem. Por Real Madrid është një klub i nivelit më të lartë dhe në një moment do të duhet të mendojë edhe për një pasardhës”, deklaroi ai.
Courtois foli edhe për rikthimin e José Mourinho te Real Madrid, trajner me të cilin ka punuar më parë te Chelsea.
“Kemi punuar gjithmonë mirë bashkë. Marrëdhënia është e mirë. Kemi pasur edhe përplasje të vogla, por ishte mënyra e tij për të më provokuar dhe për të nxjerrë më të mirën nga unë”, tha portieri.
Belgjika do ta nisë Botërorin të hënën ndaj Egjiptit në Seattle, ku Courtois do të ketë përballë Mohamed Salah, të cilin e cilësoi si “lojtar të madh dhe mik”.










