Barazimi në ‘Stadiumin Maradona’ me Eintracht Frankfurt i la një shije të hidhur Napolit, veçanërisht trajnerit Antonio Conte. Skuadra kampione e Italisë aktualisht zë vendin e 19-të në klasifikimin e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, me vetëm 4 pikë dhe një fitore të vetme, kundër Sporting Lisbonës një muaj më parë.
Situata e skuadrës po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe për Conte, Liga e Kampioneve duket se po shndërrohet në një mallkim. Ai shprehu zhgënjim për rezultatin, duke theksuar se pa shënuar gola, fitorja është e pamundur. “Luajtëm kundër një skuadre gjermane që e ka mësuar mirë ‘katenacion’ italian. Sikur të ishim ne, do të thoshin se luajmë futboll të vjetëruar,” theksoi trajneri.
Megjithë rezultatin e dobët, Conte u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij. Ai theksoi se lojtarët kishin krijuar shumë mundësi për të shënuar dhe se nuk kishte asgjë për t’i qortuar ata. “Kemi ambicie për të dalë më të fortë, por duhet të kuptojmë se është e vështirë,” tha ai.
Dëmtimi i Kevin De Bruyne e ka komplikuar edhe më tej situatën për Napolin dhe Conte po kërkon zgjidhje. Ai sqaroi se Elif Elmas u përpoq të organizojë lojën pas vendimit për të mos e rrezikuar më shumë Lobotkën.
Duke kërkuar mbështetje nga tifozët, Conte shprehu besimin se nëse skuadra arrin të përmirësojë rendimentin, gjithçka mund të ndryshojë. Ai bëri një apel që ‘Maradona’ të ndizet për të motivuar ekipin dhe për t’u ngjitur sërish në majat e futbollit evropian.
Conte e përfundoi duke thënë se ekipi po ofron maksimumin dhe se tani është koha që të tjerët të vlerësojnë situatën dhe të marrin vendimet e duhura për përmirësim.











