Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për mediat pas përplasjeve në seancën plenare të Kuvendit, duke deklaruar se mazhoranca nuk do të lejojë vonesa në votimin e projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian.
Në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës, Balla u shpreh se Kuvendi nuk do të humbasë më asnjë seancë për votimet që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai iu referua gjithashtu zgjedhjeve të ardhshme vendore, duke ftuar lëvizjen studentore të masë mbështetjen që gëzon përmes pjesëmarrjes në to.
“Ky është arsyetimi dhe përgjigja për të gjithë ata që duhen ta kenë të qartë, që Kuvendi i Shqipërisë nuk do të humbë asnjë seancë tjetër me votime të tjera që lidhet me votimin për integrimin në BE. Shqiptarët kanë votuar në maj për Edi Ramën, i kanë dhënë kontratën, është 4-vjeçare. Vitin tjetër mes prillit dhe majit 2027 janë zgjedhjet lokale, kushdo që të konkurrojë le të marrë pjesë.
Ta matin një herë sa kanë mbështetje, lëvizja studentore. Të shikojnë sa mbështeten dhe më pas të marrin pjesë në zgjedhjet vendore 2027. Policia e Shtetit është institucioni që garanton sigurinë e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë, e gjithë kjo prirje për të ngarkuar me përgjegjësi policinë. Policia duhet të ketë mbështetjen e të gjithë qytetarëve.
Kjo përpjekje e drejtorit të Policisë dhe ministrit të Brendshëm për të tërhequr policinë, u interpretua si tërheqje për të mbrojtur institucionet. Të gjitha këto ankesa që bëni janë në hetim nga AMP, si dhe nga institucionet e drejtësisë”, tha Balla.
Gjatë prononcimit, Balla ngriti akuza ndaj Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha, lidhur me protestat e ditëve të fundit në Tiranë. Ai u ndal te hetimet për aktet e dhunshme dhe te roli i të miturve në protesta, duke ngritur pikëpyetje mbi pretendimet se ata mund të jenë paguar për të marrë pjesë në akte dhune.
“Ajo që bëri një prokuror i Tiranës, që njihet për lidhjet politike me PD. Drejtësia respektohet, i vetmi institucion që meriton respekt, quhet SPAK. Kur vihet zjarr te Gjykata e Lartë, ministritë dhe një prokuror firmos mosçuarjen në gjykatë, iu referova një rasti, nëse ka 23 pushim çështje të menjëhershme edhe pse u dogj Gjykata e Lartë.
Është e papranueshme që fëmijët 17-vjeçarë të përdoren për dhunë. A kanë dëshmuar në prokurori se janë dërguar me para? A ka drejtues të PD që kanë paguar 10 mijë lekë apo më shumë, për të udhëzuar fëmijë 17-vjeçarë? Sali Berisha është instruktori i goditjes së PS. Ne e dinim që Sali Berisha do dërgonte njerëzit e vet. PS do ta mundë bashkë me Edi Ramën, edhe në 2027, edhe në 2029. Anëtarët e PS kanë edhe ata të drejtë të jenë të punësuar. Janë aty. Dallimi mes PS dhe SHQUP-it është se militantët ishin aty për të mbrojtur selinë, PD fsheh të mitur që kërkohen për dhunë”, theksoi ai.











