Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë të re zhvillimi dhe se qeveria po ndërhyn për të adresuar nevojat e biznesit, veçanërisht për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjatë prezantimit të programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, Rama solli shembuj të bizneseve që, sipas tij, kanë potencial për rritje, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit.
“Është krijuar një kompani interesante, për shembull, me djem 30 vjeç e poshtë dhe që bëjnë çobanin. Ai që e ka krijuar më tha se punëtorë kam, idenë e kam, por donte më shumë para. Edhe në Fier ka një kompani që merret me produkte kozmetike. Kanë të njëjtin problem, atë të financimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se nevojë për mbështetje financiare kanë edhe kompanitë e teknologjisë, të cilat synojnë zgjerimin e aktivitetit.
“Ka ndërmarrje dhe në fushën e teknologjisë. Edhe këto kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar”, deklaroi ai.
Rama bëri të ditur se programi parashikon financime deri në 2 milionë euro për bizneset, ndërsa shtoi se qeveria do të krijojë një Task Forcë për të monitoruar nevojat dhe ndërhyrjet e nevojshme.
“Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike.
Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”, u shpreh kreu i qeverisë.











