Një alarm ajror në Lituani shkaktoi të dielën mbylljen e përkohshme të aeroportit të Vilniusit dhe ngritjen në fluturim të të paktën një avioni luftarak të NATO-s, pasi radarët sinjalizuan atë që fillimisht u dyshua se ishte një dron.
Por alarmi rezultoi i rremë. Pas kontrollit nga ajri, NATO konfirmoi se objektet e pikasura në radar ishin një tufë zogjsh. Aeroporti u rihap vetëm 38 minuta më vonë.
Avioni luftarak u ngrit nga baza në Šiauliai, ku aktualisht është dislokuar Forca Ajrore Italiane në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore të vendeve baltike.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave e Lituanisë shpjegoi se në pamjet fillestare të radarit, gjurmët e lëna nga zogjtë dhe dronët mund të duken të ngjashme.
Incidenti vjen në një periudhë tensioni të lartë në krahun lindor të NATO-s, pasi Estonia, Letonia, Lituania dhe Finlanda kanë përjetuar raste të dronëve që kanë hyrë ose dyshohet se kanë hyrë në hapësirën e tyre ajrore, në kontekstin e luftës në Ukrainë.











