Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur provincën Sivas në Turqinë qendrore, ku katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur. Katër prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, në rrugën që lidh fshatrat Elmasek dhe Çokrak, në territorin e distriktit Suşehri. Sipas të dhënave paraprake, minibusi i pasagjerëve, me 14 persona në bord, po udhëtonte nga Sivas drejt Suşehrit kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit për shkaqe ende të paqarta.
Minibusi u përplas fillimisht me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe më pas doli nga rruga, duke përfunduar në një përrua.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u mobilizuan forca të shumta policie dhe xhandarmërie, ambulanca, zjarrfikëse dhe ekipet e Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).
Ekipet e shpëtimit punuan për disa orë për nxjerrjen e pasagjerëve nga minibusi i dëmtuar. Pavarësisht ndërhyrjes, katër persona humbën jetën, ndërsa dhjetë të tjerë u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.











