Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) vijon investimet në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve aeroportuale, me shtimin e 46 mjeteve të reja për operimet në pistë, me një investim total prej 2 milionë eurosh.
Investimi synon të mbështesë rritjen e ndjeshme të numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve, duke përmirësuar efikasitetin e operimeve në tokë dhe, mbi të gjitha, eksperiencën e pasagjerëve gjatë udhëtimit të tyre përmes aeroportit.

Mjetet e reja përfshijnë shkallë moderne për pasagjerët, pajisje për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve nga avionët, traktorë tërheqjeje për transportin e karrocave të bagazheve, mjete ndihmëse për shoqërimin e avionit në nisje (pushback), si dhe transportierë të bagazheve.

Investimi përfshin gjithashtu njësi GPU për furnizimin e avionëve me energji elektrike gjatë qëndrimit në tokë, Airstarter për ndezjen e avionëve, mjete për shërbimet e pastrimit të avionëve, si dhe një mjet për pastrimin e ngricës gjatë sezonit të dimrit, duke përmirësuar më tej kapacitetet për operime të sigurta gjatë gjithë vitit.

Përmes këtij investimi, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës synon të mundësojë procese më të shpejta dhe më efikase të perpunimit të avionëve, nga trajtimi i bagazheve deri te ngjitja dhe zbritja e pasagjerëve. Përmirësimi i këtyre proceseve kontribuon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit kundrejt linjave ajrore partnere dhe në krijimin e një eksperience më të mirë për çdo pasagjer që udhëton përmes TIA-s.

Investimet në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete operative janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Grupit Kastrati për të mbështetur rritjen e trafikut dhe për të ofruar një eksperiencë aeroportuale gjithnjë e më efikase, të sigurt dhe cilësore.












