Stilisti legjendar Giorgio Armani ndërroi jetë më 4 shtator në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pazevëndësueshme në botën e modës. Vdekjen e tij e konfirmoi kompania Armani përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se ai vdiq në paqe, i rrethuar nga të dashurit e tij, përfshirë partnerin e tij të jetës, Leo Dell’Orco.
Armani dhe Dell’Orco u takuan rastësisht në Milano në vitet 1970 dhe ndërtuan një partneritet të fortë personal dhe profesional. Dell’Orco iu bashkua kompanisë Armani në vitin 1977 dhe, pas vdekjes së partnerit të mëparshëm të stilistit, Sergio Galeotti, ai u bë mbështetësi kryesor dhe krahu i djathtë i Armani-t. Gjithnjë e më shumë, Armani e konsideronte Dell’Orcon si personin më të afërt dhe besnik, duke e quajtur marrëdhënien e tyre një “partneritet të përjetshëm”.
Roli i Dell’Orcos në shtëpinë e modës ishte i rëndësishëm. Ai menaxhonte koleksionet për meshkuj në markat e ndryshme të shtëpisë Armani, përfshirë Giorgio Armani, Emporio Armani dhe Armani Exchange. Përpos mbështetjes së tij personale, Dell’Orco kontribuoi në në drejtimin strategjik të markës, duke siguruar që vizioni i Armani-t të vazhdonte të jetonte edhe pas tij.
Giorgio Armani kishte shpesh biseduar për planet e tij të trashëgimisë. Ai dëshironte të transferonte gradualisht përgjegjësitë dhe menaxhimin tek Dell’Orco, mbesa e tij Silvana Armani dhe ekipi i tij, për të garantuar vazhdimësinë e vizionit të tij dhe ruajtjen organike të markës.
Deri në momentin e vdekjes, Armani kishte punuar me pasion për të siguruar se stilimi dhe estetikë e tij do të vazhdonin të jenë pjesë e pandashme e modës botërore. Ai do të mbahet mend si një ikonë dhe vizionar, i cili la një gjurmë të thellë dhe të pakrahasueshme në industrinë e stilit, duke frymëzuar breza të tërë me punën e tij të palodhshme.