Një 20-vjeçare palestineze, Marah Abu Zuhri, e cila vuante nga kequshqyerja e rëndë, ka ndërruar jetë disa ditë pas mbërritjes në Itali për trajtim mjekësor. Lajmin e konfirmoi spitali Universitar i Pizës.
Zuhri ishte evakuuar nga Gaza së bashku me nënën e saj dhe 31 pacientë të tjerë që vuanin nga sëmundje të rënda, plagë ose amputime. Ajo mbërriti në Piza me një fluturim humanitar të qeverisë italiane të mërkurën në mbrëmje.
Sipas spitalit, gjendja e saj ishte shumë e komplikuar dhe trupi kishte humbur shumë nga funksionet organike. Të premten, pas fillimit të trajtimit dhe analizave, ajo pësoi një krizë të papritur respiratore dhe arrest kardiak, duke humbur jetën.
Më shumë se 180 fëmijë dhe të rinj nga Gaza janë sjellë në Itali që kur filloi konflikti midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, një e treta e popullsisë në Gaza kalon ditë pa ushqim, dhe rreth gjysmë milioni njerëz janë në prag të urisë.