Aktori dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të regjizorit Piro Milkani. Malaj u kthye pas në kohë teksa shkruan se Milkani ishte personi që i hapi derën e kinemasë dhe e ndihmoi të hidhte hapin e parë si aktor. Ai shtoi se regjizori i mësoi se arti nuk është thjesht profesion, por mënyrë e të jetuarit me shpirt të hapur.
Aktori theksoi se qyteti i tyre i vogël kinematografik do të mbetet më i varfër pa të ndërsa shtoi se kujtimet dhe mësimet e tij do ta shoqërojnë gjithë jetën. Ai e falenderoi regjizonin për besimin që i dha në karrierë por edhe si individ për të qenë njeri para se të jetë aktor.
I dashur Piro, Sot zemra më dhemb më shumë se fjalët që mund të shkruaj. Ti ishe ai që, me një buzëqeshje të qetë dhe një besim të palëkundur, hape derën e kinemasë për mua dhe më le të provoja hapin tim të parë si aktor. Nën dritat e setit, ti përcillje qetësi, mirësi dhe një pasion që ngjyroste çdo kornizë filmi.
Më mësove se arti nuk është thjesht profesion, por mënyrë e të jetuarit me shpirt të hapur. Me kujdesin që tregoje për çdo detaj, me respektin që u jepje të gjithëve dhe me delikatesën me të cilën drejtoje, bëre që të ndihesha i vlefshëm, i përfshirë, i parë.
Kam ende në vesh zërin tënd që më thoshte: “Beso, pastaj luaj.” Qyteti ynë i vogël kinematografik mbetet më i varfër pa ty, por kujtimet dhe mësimet e tua do të më shoqërojnë gjithë jetën. Faleminderit që besove tek unë, që më dhe zemrën tënde artistike, që më tregove si të jem njeri para se të jem aktor.
U prehsh në paqe, miku im dhe udhërrëfyesi im. Për mua do të mbetesh gjithmonë dritë në ekranin e kujtimeve. Me përqafim nga shpirti, Petriti,” shkruan Malaj në reagimin e tij.