Kur bëhet fjalë për të zgjedhur një vend ku do të dëshironin të jetonin dhe punonin, shqiptarët i kanë sytë larg Ballkanit.
Vetëm 1% e tyre do të zgjidhnin një tjetër ekonomi të Ballkanit Perëndimor, përqindja më e ulët në rajon. Kjo është një nga gjetjet më domethënëse të anketës “SecuriMeter 2026”, e cila zbulon se destinacionet e preferuara të shqiptarëve janë kryesisht vendet perëndimore.
Sipas asaj që shkruan “Scan Tv”, Bashkimi Europian kryeson bindshëm me 56% të preferencave, duke e renditur Shqipërinë mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 45%.
Vetëm Kosova shfaq një orientim më të fortë drejt BE-së, me 60%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 52%. Në Serbi kjo përqindje zbret në 41%, ndërsa në Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi në 35%.
Por shqiptarët dallohen edhe për interesin ndaj destinacioneve më të largëta. Plot 23% do të zgjidhnin SHBA-në, Kanadanë ose Australinë, kundrejt një mesatareje rajonale prej 14%. Kjo është përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër rezultat domethënës lidhet me Mbretërinë e Bashkuar, e cila preferohet nga 15% e shqiptarëve, plot trefishi i mesatares rajonale prej 5%. Ndërkohë, Zvicra tërheq vetëm 4% të preferencave në Shqipëri, krahasuar me 15% në nivel rajonal.
Në total, Bashkimi Europian, SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe Mbretëria e Bashkuar përqendrojnë 94% të preferencave të shqiptarëve.
Rezultatet nxjerrin në pah një kontrast të fortë, ndërsa shqiptarët shfaqin një orientim të qartë drejt vendeve perëndimore, ekonomitë fqinje të Ballkanit pothuajse nuk konsiderohen alternativa për të ndërtuar një jetë dhe karrierë. Megjithatë, këto shifra pasqyrojnë destinacionet e preferuara dhe jo domosdoshmërisht planet konkrete për emigrim.











