Aktivistët dhe deputetët francezë po kërkojnë pezullimin e përdorimit të gazit lotsjellës gjatë protestave, pasi dhjetëra mijëra gra kanë raportuar dhimbje të forta, gjakderdhje të pazakontë dhe çrregullime të ciklit menstrual pas ekspozimit ndaj tij. Shqetësimet janë shtuar pas demonstratave të fundit në Francë, ku policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmave, ndërsa organizata aktiviste thotë se ka mbledhur mbi 10 mijë dëshmi nga gra që pretendojnë se kanë përjetuar probleme të shëndetit riprodhues.
Sipas dëshmive, disa gra kanë përjetuar ngërçe shumë më të forta se zakonisht, menstruacione të parakohshme, gjakderdhje të zgjatur dhe dhimbje në pjesën e poshtme të barkut. Organizatat dhe disa përfaqësues politikë kërkojnë jo vetëm pezullimin e përkohshëm të gazit lotsjellës, por edhe studime të pavarura për të përcaktuar ndikimin e mundshëm të substancave kimike në sistemin hormonal dhe shëndetin riprodhues. Ministria e Brendshme franceze, nga ana tjetër, e konsideron gazin lotsjellës një mjet të domosdoshëm për kontrollin e turmave dhe thotë se nuk ka prova shkencore që konfirmojnë lidhjen me çrregullimet menstruale apo abortet.
Shkencëtarët theksojnë se, megjithëse disa studime kanë evidentuar një lidhje të mundshme mes ekspozimit ndaj gazit lotsjellës dhe problemeve riprodhuese, deri tani nuk është provuar se njëri shkakton tjetrin. Të dhënat janë të kufizuara dhe mbështeten kryesisht në raportime personale, pa ekzaminime mjekësore apo grupe krahasimi. Debati ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e përdorimit të gazit lotsjellës në protesta dhe te nevoja për studime më të thelluara mbi pasojat e tij afatgjata.











