Teksa jemi në kulmin e sezonit të vjeljes së ullinjve, këtë vit fermerët po përballen me një problem gjithnjë e më shqetësues, mungesën e fuqisë punëtore.
Ullishtet janë të mbushura me prodhim, por mungojnë njerëzit për ta mbledhur atë. Në fshatin Ngurrëz të Lushnjës, familjet kanë gjetur një mënyrë për të përballuar këtë situatë, duke u organizuar dhe ndihmuar njëra-tjetrën në vjeljen e ullinjve.
Pavarësisht moshës 84-vjeçare, një e moshuar ka dalë në ullishte për të ndihmuar djalin e saj në mbledhjen e prodhimit. Ndërsa një tjetër fermer ka marrë ndihmën e vëllait, i cili është kthyer nga Amerika së bashku me bashkëshorten, për të përfunduar vjeljen e ullishtes.
Edhe fermerë të tjerë kanë ndërprerë përkohësisht punën në Greqi dhe janë kthyer në vendlindje për të qëndruar të paktën dy muaj, aq sa nevojitet për të përfunduar vjeljen e prodhimit.
Por, përveç mungesës së punëtorëve, një tjetër shqetësim për fermerët është kostoja e lartë e fuqisë punëtore. Ata që arrijnë të gjejnë punëtorë duhet të paguajnë nga 3 mijë deri në 4 mijë e 500 lekë në ditë për person.
Përballë këtyre vështirësive, fermerët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të mbështetur sektorin e ullishtarisë.
Ata kërkojnë hapjen e tregjeve për shitjen e vajit të ullirit, si dhe uljen e çmimeve të inputeve bujqësore, të cilat rrisin kostot e prodhimit.











