Kryesocialisti Rama mblodhi këtë të shtunë Asamblenë e PS në kuadër të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2027 për bashkinë e Tiranës.
Rama tha se ndërtimi në Tiranë gjeneron të ardhura të rëndësishme për bashkinë, duke theksuar se 3% e kontributit shkon për strehimin social dhe 8% për buxhetin e qytetit. Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar pozicionin e saj ndërkombëtar dhe sot po negocion kushtet për anëtarësimin në BE, me synimin për mbylljen e kapitujve në fund të vitit 2027.
“Një qytet që ndërton akoma dhe më shumë, por që shumë të rinj nuk kanë mundësi ta blejnë, zgjidhet duke e parë rritjen e Tiranës si burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme.
Ne nuk kemi ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të mendojmë për pasojë, por nga ato kulla të ardhurat në buxhet janë domethënëse. Ndërkohë, të gjithë, kur shohin një kullë apo pallat të ri, duhet ta dinë se aty janë 3 për qind për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, dhe janë 8 për qind taksë për qytetin. Nëse hiqen këto taksa, buxheti i bashkisë bëhet një buxhet që nuk përballon shumë nga nevojat e qytetit.
Pse kalon nga kjo parti rruga e fuqizimit diplomatik? Sepse dikur Shqipëria, jo para 100 vitesh, por edhe në vitet e para kur e përfaqësoja Shqipërinë, ishte një vend që lutej për t’u dëgjuar dhe që ndahej nga tryeza me ndjesinë e një shpërfilljeje ofenduese. Dikur Shqipëria ishte e detyruar të shpjegonte pse ishte aq larg Europës. Dikur Shqipëria ulej formalisht nëpër tryeza dhe zërin e saj e dëgjonin si zërin e një mize në qyp. Sot Shqipëria negocion kushtet për të qenë pjesë e BE-së dhe ka objektivin ambicioz, të dakordësuar, për mbylljen e kapitujve në fund të vitit 2027.”











