Cristiano Ronaldo vazhdon marshimin drejt shifrës historike të 1,000 golave, por mbrëmja e tij personale u prish nga humbja e Al Nassr.
Portugezi zhbllokoi ndeshjen pa kaluar ende çerek ore lojë, pasi Samu Costa rikuperoi topin pranë zonës dhe e la të vetëm përballë portierit. Ronaldo nuk gaboi dhe realizoi golin e tij të 986-të në karrierë.
Vetëm pak minuta më vonë, 41-vjeçari pati mundësinë të shënonte sërish nga pika e bardhë, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.
Al Nassr pati mundësi për të kontrolluar sfidën, ndërsa një gol i Demiral u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, Galeno barazoi rezultatin me një goditje spektakolare nga distanca, duke ndryshuar rrjedhën e takimit.
Në pjesën e dytë, Ivan Toney realizoi nga penalltia dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh. Sulmuesi anglez vazhdon formën e mirë dhe kryeson listën e golashënuesve në Saudi Pro League me 14 gola.
Goditja përfundimtare për Al Nassr erdhi në 15 minutat e fundit, kur Ibañez shënoi pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Galeno, duke vulosur humbjen.
Pavarësisht rezultatit të skuadrës, Cristiano vazhdon të afrohet me objektivin e madh personal. Me 986 gola në karrierë, portugezit i mungojnë vetëm 14 për të arritur shifrën historike të 1,000 golave.











