Në vitin 2025, shkalla e punësimit në Bashkimin Europian për burrat e moshës 20–64 vjeç ishte 80.9%, ndërsa për gratë arriti në 71.2%. Kjo diferencë rezultoi në një hendek gjinor në punësim prej 9.7 pikësh përqindjeje, duke treguar se pjesëmarrja e burrave në tregun e punës vijon të jetë më e lartë se ajo e grave.
Situata në Shqipëri paraqitet me një diferencë edhe më të theksuar. Për grupmoshën 20–64 vjeç, shkalla e punësimit të meshkujve arrin në 89.1%, kundrejt 75.7% për femrat, duke e çuar hendekun gjinor në 13.4 pikë përqindjeje. Kjo do të thotë se diferenca mes dy gjinive në Shqipëri është 3.7 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Megjithatë, në krahasim me disa vende të rajonit, Shqipëria paraqitet me një hendek gjinor më të ulët. Në Maqedoninë e Veriut diferenca mes shkallës së punësimit të burrave dhe grave arrin në 18.7 pikë përqindjeje, ndërsa në Bosnje Hercegovinë është edhe më e lartë, në 28.3 pikë përqindjeje. Këto shifra tregojnë se pabarazitë gjinore në tregun e punës mbeten një sfidë e rëndësishme në rajon.
Brenda Shqipërisë, hendeku gjinor në punësim shfaq diferenca të konsiderueshme edhe sipas qarqeve. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, në të gjitha qarqet shkalla e punësimit të meshkujve është më e lartë se ajo e femrave. Dibra regjistron diferencën më të madhe, me 22.8 pikë përqindjeje, pasi punësimi i meshkujve arrin në 70%, ndërsa ai i femrave në 47.2%. Pas saj renditen Elbasani, me 17.2 pikë përqindjeje, dhe Vlora, me 16.6 pikë përqindjeje.
Në anën tjetër, Kukësi shënon hendekun më të ulët gjinor, me 8.6 pikë përqindjeje, i ndjekur nga Durrësi me 9.5 pikë përqindjeje dhe Korça me 10.1 pikë përqindjeje.
Ndërkohë, në nivel europian, diferencat më të mëdha gjinore në punësim shfaqen kryesisht në rajonet e Europës Jugore dhe Lindore. Në vitin 2025, gjithsej 26 rajone të Bashkimit Europian regjistruan hendek gjinor prej të paktën 18 pikësh përqindjeje. Mes tyre përfshihen 10 nga 13 rajonet e Greqisë, 8 nga 21 rajonet e Italisë dhe 5 nga 8 rajonet e Rumanisë. /scan.tv











