Besmir Beja është larguar nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, pas rreth 10 muajsh në krye të institucionit. Në vend të tij pritet të emërohet Fation Shehu, emri i të cilit është propozuar zyrtarisht për t’u miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Shehu ka mbajtur për katër vite detyrën e drejtorit të Antikontrabandës. Gjatë karrierës së tij, ai është vlerësuar edhe në nivel ndërkombëtar, pasi vitin e kaluar u nderua me Çmimin e Parë nga SELEC (Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore), për kontributin dhe arritjet në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Me një përvojë disa-vjeçare në administratën doganore dhe pjesëmarrje në trajnime pranë organizatave ndërkombëtare, Fation Shehu pritet të zyrtarizohet ditën e premte në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit.











