Manchester City përballet me një tjetër goditje jashtë fushës, teksa vazhdon beteja ligjore me Premier League për shkeljet e rregullave financiare.
Sipas Financial Times, Apollo Global Management ka anuluar një hua të planifikuar prej rreth 2 miliardë dollarësh, mbi 1.8 miliardë euro, për City Football Group, pas vendimit të komisionit të pavarur që e shpalli klubin fajtor për shkelje të rregullave financiare të Premier League.
Marrëveshja ishte në fazat përfundimtare dhe do t’i siguronte City Football Group likuiditet shtesë, si edhe mundësinë për të rifinancuar disa linja ekzistuese krediti.
Vendimi i Apollo-s shton pasigurinë rreth situatës financiare të Manchester City, ndërsa klubi ka apeluar vendimin dhe masa përfundimtare ende nuk është përcaktuar.
Ndërkohë, 18 klube të Premier League kanë votuar në favor të mbulimit të shpenzimeve ligjore të drejtuesve të kampionatit në rast se sponsorët e Cityt vendosin t’i padisin personalisht.
Mes kompanive që kanë sinjalizuar mundësinë e veprimeve ligjore janë Etihad Airways dhe Etisalat, të cilat kanë kundërshtuar përfundimet e procesit ndaj Manchester Cityt.
Sipas raportimeve, kostot ligjore të betejës mes Manchester City dhe Premier League tashmë kanë kaluar 100 milionë paund, ndërsa vetëm shpenzimet e ligës pritet të tejkalojnë 70 milionë.
Në rast se City nuk arrin ta përmbysë vendimin në apel, përveç sanksionit të mundshëm, klubi mund të detyrohet të mbulojë edhe një pjesë të konsiderueshme të kostove ligjore të Premier League.
Situata rreth kampionëve anglezë mbetet e hapur, ndërsa vendimet e ardhshme pritet të kenë pasoja të rëndësishme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar.











