Sonda Voyager 1 e NASA-s ka arritur një rekord të paprecedentë: ndodhet tashmë në një distancë nga Toka që drita e përshkon për 24 orë. E nisur në vitin 1977, ajo është objekti i ndërtuar nga njeriu që ka udhëtuar më larg në hapësirë, duke përshkuar rreth 25.9 miliardë kilometra.
Distanca është aq e madhe, sa edhe sinjali radio që sonda dërgon drejt Tokës udhëton për një ditë të plotë përpara se të mbërrijë te shkencëtarët. Voyager 1 po lëviz me një shpejtësi prej rreth 61 mijë kilometrash në orë dhe që prej vitit 2012 ndodhet përtej heliosferës, kufirit të ndikimit të erës diellore.
Në bordin e saj ndodhet edhe disku i famshëm i artë, që përmban tinguj, muzikë dhe imazhe nga Toka, si një mesazh për qytetërime të mundshme jashtëtokësore. Pas gati gjysmë shekulli, sonda vazhdon udhëtimin e saj drejt hapësirës ndëryjore, ndërsa NASA po përpiqet të zgjasë sa më shumë jetën e saj.











