Tensionet mes UEFA-s dhe FIFA-s vazhdojnë të rriten. Tetë anëtarët europianë të Këshillit të FIFA-s, mes tyre presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin, i kanë dërguar një letër organizatës botërore duke kërkuar më shumë transparencë dhe akses në dokumentacion.
Në qendër të shqetësimeve është projekti i dështuar “FIFA Enterprise” për komercializimin e të drejtave të Kupës së Botës, por jo vetëm.
Në letër, përfaqësuesit europianë pretendojnë se FIFA nuk u është përgjigjur pyetjeve të dërguara në muajin tetor dhe as nuk u ka dorëzuar dokumentet e kërkuara.
“Deri më sot, FIFA nuk i është përgjigjur asnjë prej këtyre pyetjeve, nuk ka siguruar dokumentacionin e kërkuar dhe nuk ka treguar se kur synon ta bëjë këtë”, thuhet në letër.
Tetë anëtarët shprehin gjithashtu shqetësim për faktin se FIFA ka ofruar vetëm mundësinë për të parë disa “dokumente kyçe”, pa specifikuar se cilat janë ato dhe duke vendosur protokolle të rrepta për shqyrtimin e tyre.
Sipas tyre, si anëtarë të Këshillit të FIFA-s kanë të drejtë të kenë akses në informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre sipas statuteve të organizatës dhe ligjit zviceran.
Në letër kërkohet gjithashtu sqarim se pse FIFA po vendos kufizime mbi aksesin në dokumente dhe çfarë përmbajnë konkretisht këto protokolle.
“Çështja përfundimtare është nëse presidenti dhe administrata e FIFA-s e pranojnë përgjegjësinë e tyre ndaj Këshillit të FIFA-s”, thuhet në përfundim.
Një kopje e letrës u është dërguar edhe të gjithë anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, ndërsa përfaqësuesit europianë kanë lënë të hapur mundësinë për të kërkuar dokumentacionin edhe në kuadër të procedurave ligjore aktuale ose të ardhshme në Shtetet e Bashkuara.











