Real Madridi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Arda Güler, i cili do të qëndrojë në “Santiago Bernabéu” deri në vitin 2032.
Mesfushori turk kishte kontratë deri në vitin 2029, por palët kanë arritur marrëveshjen për ta zgjatur bashkëpunimin edhe me tri vite të tjera. Güler mbërriti në Madrid në moshën 18-vjeçare dhe, sipas kontratës së re, do të jetë pjesë e klubit të paktën deri në moshën 27-vjeçare.
Pas firmës, 21-vjeçari publikoi edhe një mesazh për tifozët madrilenë.
“Kur vesha për herë të parë fanellën e Real Madridit, e kuptova se po bëhesha pjesë e diçkaje të madhe. Sot ndiej të njëjtën krenari dhe lumturi, por edhe një përgjegjësi më të madhe.”
Güler e bëri të qartë se synimi i tij është të ndërtojë historinë e tij me fanellën e bardhë.
“Ëndrra ime është ta vesh këtë fanellë për shumë vite, të fitojmë trofe të rinj së bashku dhe një ditë të lë gjurmën time në këtë histori unike.”
Turku iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2023 nga Fenerbahçe dhe që prej atëherë ka fituar pesë trofe me klubin: Champions League, Botërorin për Klube, Superkupën e Europës, La Ligën dhe Superkupën e Spanjës.
Në Valdebebas, Güler konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit të së ardhmes dhe roli i tij në skuadër është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Me rinovimin deri në vitin 2032, Real Madridi siguron për një periudhë të gjatë një prej talenteve më të çmuara të skuadrës.










