Pas më shumë se dy dekadash në arrati, 52-vjeçari Valentin Ftoni është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
I dënuar dy herë me nga 25 vite burg për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, Ftoni u arrestua në Nju Jork më 8 tetor 2026 dhe u ekstradua më 18 nëntor.
Ai ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2001, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Shkodrës për vrasjen e dy personave në fshatin Cas, më 19 shtator 2000, për motive gjakmarrjeje, si dhe për një tjetër vrasje të kryer më 12 gusht 2001 në Shkodër.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ai kishte arritur t’i shmangej autoriteteve duke përdorur tre identitete të falsifikuara si Valentin Bujaj, Parim Hajredini dhe Alexander Campusano. Identitetet e ndryshme i kishin mundësuar të fshihej për vite me radhë, deri në arrestimin e tij në Nju Jork.
Ekstradimi i tij u realizua nga bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive federale amerikane, të koordinuara nga DSS/OCIU pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Pas dorëzimit nga autoritetet amerikane ICE-ERO dhe DSS/OCIU, Ftoni iu vu në dispozicion autoriteteve shqiptare për vijimin e procedurave ligjore.











