Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi politik me Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin kundër kryeministrit Edi Rama.
I pyetur nga gazetarët, pas paraqitjes në SPAK, nëse Veliaj dhe Spiropali mund të bashkohen me opozitën, Berisha u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë që e konsiderojnë Ramën si të keqen më të madhe të pluralizmit shqiptar të bashkohen në një front të përbashkët.
“Të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë duhet të bashkohen, ta përcjellim një minutë e më parë. Kjo është thirrja ime”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së komentoi gjithashtu Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila u mbajt më 14 nëntor, duke e cilësuar atë si një mbledhje ku, sipas tij, u shfaqën pakënaqësi të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Ju e ndoqët Asamblenë e Partisë së Krimit. Në Asamble, fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore ndaj Padrinos. Nuk kam parë ndonjëherë në një kolektivitet fytyra njerëzish që akuzonin kreun siç e akuzonin asambleistët”, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat, duke deklaruar se fundi politik i Edi Ramës është i pashmangshëm.
“Ftoj shqiptarët të vazhdojnë fuqishëm protestat, të vazhdojmë t’i japim shtytjen e fundit këtij narkodiktatori që plaçkiti Shqipërinë më shumë se të gjitha regjimet e kohërave të shkuara”, përfundoi Berisha.











