Katër ushtarakë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në provincën Malatya, në lindje të Turqisë. Lajmi u konfirmua nga Ministria turke e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se helikopteri i tipit S-70 u rrëzua të enjten, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Sipas autoriteteve, helikopteri u rrëzua në zonën Samanköy, në distriktin Yeşilyurt. Pas incidentit, në vendngjarje u dërguan ambulanca, zjarrfikëse dhe ekipe të emergjencës, ndërsa u zhvilluan operacione kërkim-shpëtimi. Në zonën ku ra helikopteri u raportua edhe një zjarr, i cili përfshiu një banesë pranë vendit të përplasjes.
Ministria e Mbrojtjes shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe për Forcat e Armatosura turke. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.











