Policia greke ka sekuestruar rreth 19 kilogramë marijuanë gjatë një operacioni antidrogë në zonën e Kastorias, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy persona, një shqiptar 38-vjeçar dhe një shtetase greke 34-vjeçare.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e kaluar nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve në Kastoria, pas informacioneve të siguruara në kuadër të hetimeve për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të një automjeti që kishte tërhequr vëmendjen e policisë për lëvizjet e dyshimta, efektivët zbuluan dy çanta udhëtimi, brenda të cilave ndodheshin 18 pako me marijuanë, me peshë totale prej 18 kilogramësh e 800 gramësh.
Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe automjetin që dyshohet se përdorej për transportin e drogës, dy telefona celularë dhe dy karta SIM.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë nga Departamenti i Narkotikëve në Kastoria.
Ndërkohë, dy të arrestuarit pritet të dalin para Prokurorisë së Gjykatës Penale të zonës, ku do të përballen me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.











