Raúl González është zyrtarisht trajneri i ri i Real Oviedos. Ish-kapiteni i Real Madridit zhvilloi seancën e parë stërvitore me skuadrën dhe më pas u prezantua në stadiumin “Carlos Tartiere”.
Në daljen e tij të parë para mediave, Raúl u shfaq shumë i entuziazmuar për aventurën e re.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Doja një klub me traditë dhe një qytet që e jeton futbollin me pasion. Ky projekt më motivon shumë”, deklaroi ai.
Trajneri spanjoll shpjegoi se kishte pasur edhe oferta të tjera, por projekti i Oviedos dhe besimi i drejtuesve e bindën të pranonte.
Sa i përket stilit të lojës, Raúl kërkon një skuadër agresive, vertikale dhe me dëshirë për të sulmuar, por pa humbur ekuilibrin në fazën mbrojtëse.
“Çdo ndeshje duhet luajtur për tri pikët. Objektivi duhet të jetë ngjitja në La Liga”, theksoi ai.
Një nga pyetjet kryesore lidhej me një rikthim të mundshëm te Real Madrid në të ardhmen, por Raúl ishte i qartë.
“A e shoh veten te Real Madrid në të ardhmen? Unë e shoh veten këtu. Këtu më është dhënë mundësia dhe besimi. Jam shumë i lumtur dhe nuk mund të ndaloj së buzëqeshuri”, u shpreh ai.
Raúl shtoi se dëshiron të ndërtojë një skuadër me identitet, karakter dhe që nuk dorëzohet deri në fund.











