Situata e Jamal Musialas vazhdon të shqetësojë Bayern Munich. Talenti gjerman, tashmë 23 vjeç, ka kaluar një periudhë të gjatë të mbushur me dëmtime dhe probleme fizike që kanë ndalur ndjeshëm progresin e tij.
Pas problemeve në ije, dëmtimeve muskulore dhe frakturës së fibulës, e cila e mbajti jashtë fushe për rreth gjashtë muaj, Musiala është përballur edhe me episode të tjera shëndetësore.
Presidenti i nderit i Bayern, Uli Hoeness, foli hapur për situatën e lojtarit dhe pranoi se ekziston pasiguri për rikthimin e tij në nivelin e mëparshëm.
“Te Jamal jemi përballë një dileme. Ai vuan nga një problem që nuk është i lehtë për t’u trajtuar, edhe pse mund të mbahet nën kontroll me medikamente. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë në gjendje të rikthehet në nivelin që kishte më parë”, deklaroi Hoeness.
Ai preku edhe çështjen e kontratës së lojtarit, duke ngritur si skenar hipotetik mundësinë që klubi të rishikonte marrëveshjen nëse performanca e Musialas nuk do të rikthehej në nivelin e pritur.
Musiala rinovoi me Bayern në fillim të vitit 2025 dhe kontrata e tij aktuale zgjat deri në vitin 2030. Sipas raportimit, ai përfiton rreth 25 milionë euro bruto në sezon, ndërsa me bonuse shifra mund të arrijë në 30 milionë.
Edhe ish-futbollisti Markus Babbel u tregua kritik, duke theksuar se Bayern i ka ofruar Musialas një kontratë të denjë për një yll absolut, ndërsa problemet e vazhdueshme fizike kanë ngritur dyshime për investimin e klubit.
Situata mbetet delikate, ndërsa Bayern pret të kuptojë nëse Musiala do të jetë në gjendje të rikthehet plotësisht në nivelin që e bëri një nga talentet më të mëdha të futbollit europian.











