Kenan Yildiz po i afrohet rikthimit në fushë pas dëmtimit në kockën e pestë metatarsale të këmbës së majtë.
Talenti i Juventusit ishte një nga të nderuarit në ceremoninë “Premio Bulgarelli-Number 8” në Bologna, ku foli edhe për gjendjen e tij.
“Jam mirë tani. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt. Më mungon Juventusi dhe mezi pres të luaj përsëri. Le të themi se do të rikthehem në dhjetor”, deklaroi Yildiz.
Fjalë të mëdha për të pati edhe Fabio Capello, president i jurisë së çmimit, i cili e krahasoi turkun me një nga talentet më të mëdha të Barcelonës.
“Ai bën gjëra që të tjerët as nuk do t’i mendonin. Juventusit, futbollit dhe spektatorëve u mungon. Ka kreativitet dhe e sjell atë në fushë. Është Lamine Yamal i Serie A”, u shpreh Capello.
Yildiz e falënderoi ish-trajnerin italian për vlerësimin, ndërsa Juventusi pret tashmë rikthimin e tij gjatë muajit dhjetor.











