Partia Demokratike zhvillon sot protestën e radhës në Tiranë, me mbështetësit e saj që kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku është parashikuar të mbahet tubimi.
Ata u grumbulluan në selinë blu dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, teksa tashmë janë pozicionuar përpara institucionit shtetëror
Në krye të grupit po qëndrojnë deputetët demokratë, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Tedi Blushi.
Protesta po vijon e qetë, pa tensione, teksa policia është pozicionuar te Kryeministria.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e paralajmëroi pak ditë më parë, teksa u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së së shtunës, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh janë përfshirë në protesta.
Berisha e cilësoi revoltën studentore si një përballje me qeverinë Rama, ndërsa ftoi qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohen në atë që e konsideroi një protestë kundër qeverisë.











