Diego Simeone ka folur në prag të sfidës së Champions League ndaj Bayern Munich, duke rezervuar fjalë të mëdha për Harry Kane, fituesin e fundit të Topit të Artë.
“E përgëzoj për Topin e Artë, të cilin e fitoi me meritë. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe gjithmonë më ka pëlqyer”, deklaroi trajneri i Atlético Madrid.
Simeone vlerësoi veçanërisht vazhdimësinë dhe aftësinë e anglezit për të qenë vendimtar në nivelet më të larta.
“Ai nuk e ka humbur kurrë nuhatjen për golin. Punon shumë, ndihmon skuadrën kur ka nevojë dhe është një golashënues i vërtetë. Talenti i tij e përmirëson futbollin dhe është shembull për të rinjtë se si puna të çon në nivelin më të lartë.”
Sa i përket përballjes me Bayern, Simeone pranoi se Atlético do të përballet me një kundërshtar shumë të fortë.
“Do të doja të sulmonim për 80 minuta dhe t’ua linim atyre vetëm dhjetë minutat e fundit për të na sulmuar, por realiteti është tjetër. Bayern është një skuadër shumë e fuqishme dhe do të kemi momente të vështira.”
Trajneri argjentinas kërkoi gjithashtu mbështetje maksimale nga tifozët në “Metropolitano”, ku do të luhet edhe finalja e këtij edicioni të Champions League.
“Është diçka shumë e bukur për klubin që finalja do të luhet në stadiumin tonë, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.”
Simeone foli edhe për Lookman, duke theksuar se vazhdon të ketë besim të madh tek ai pavarësisht një fillimi jo të lehtë të sezonit.
“Ai është një nga lojtarët tanë më të mirë në një kundër një. Nuk dua të frustrohet. Do të vijë momenti kur do të nisë të shënojë dhe të asistojë përsëri.”
Atlético do të ketë disa mungesa në mesfushë, me Cardoso dhe Hjulmand jashtë, ndërsa Koke është rikthyer dhe mbetet një alternativë për sfidën ndaj Bayern.











