Televizioni shtetëror kinez CCTV nuk ka transmetuar asnjë ndeshje të LaLiga-s gjatë fundjavës, duke vazhduar pezullimin e nisur pas polemikës së krijuar nga deklaratat e Kylian Mbappé për një meme që lidhej me Mao Zedong.
Sipas EFE, asnjë nga ndeshjet e programuara të premten dhe të shtunën nuk u transmetua dhe ato nuk figuronin as në programacionin zyrtar të CCTV. Edhe ndeshjet e planifikuara për të dielën mungonin nga kalendari i televizionit.
Megjithatë, situata është ndryshe te platforma streaming Migu, partneri ekskluziv dixhital i LaLiga-s në Kinë deri në sezonin 2029/30. Migu vazhdoi të transmetojë pothuajse të gjitha ndeshjet e fundjavës.
Përjashtimi kryesor është sfida Racing Santander-Real Madrid, e cila nuk figuron në programacionin e platformës.
Sipas verifikimeve të EFE, në Migu mungojnë gjithashtu ndeshjet e Real Madridit nga javët e mëparshme të sezonit, ndërsa takimet e skuadrave të tjera vazhdojnë të jenë të disponueshme. Në fillim të polemikës, përdorues në rrjetet sociale raportuan gjithashtu se ishin hequr videot e golave të Mbappé nga El Clásico.
Gjithçka nisi pasi Mbappé, gjatë një interviste, tha se një nga memet e tij të preferuara ishte ajo ku fytyra e tij ishte vendosur mbi figurën e një “diktatori kinez”, pa përmendur drejtpërdrejt Mao Zedong.
Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kinë, me disa kompani që ndërprenë marrëveshjet tregtare dhe CCTV që pezulloi transmetimet e LaLiga-s dhe përmbajtjet e lidhura me sulmuesin francez.
Mbappé kërkoi falje në frëngjisht, anglisht dhe kinezisht, ndërsa LaLiga reagoi gjithashtu. Presidenti Javier Tebas i dërgoi një letër China Media Group, kompania që kontrollon CCTV.
Megjithatë, deri tani nuk ka një njoftim zyrtar se kur mund të rikthehen transmetimet e LaLiga-s në televizionin publik kinez.











