Andoni Iraola ka folur në prag të përballjes së Liverpoolit me Arsenalin, duke shmangur diskutimet për titullin dhe duke theksuar se sezoni është ende në një fazë shumë të hershme.
Liverpool ndodhet në vendin e katërt me 15 pikë, ndërsa Arsenal ka 21 dhe është vetëm pas Manchester Cityt për shkak të diferencës së golave.
“Është shumë herët për të parë renditjen. Duhet të përgatitemi për një ndeshje jashtëzakonisht të vështirë. E dimë sa i fortë është Arsenal dhe çfarë lojtarësh ka. Kam besim te skuadra jonë dhe atmosfera të dielën do të jetë e mrekullueshme”, deklaroi Iraola.
I pyetur për deklaratën e Jamie Carragher, i cili e konsideroi Liverpoolin rivalin më të afërt të Arsenalit për titullin, trajneri spanjoll kërkoi qetësi.
“Jemi ende në tetor. Pikë referimi e vërtetë është mesi i sezonit, kur të gjitha skuadrat të jenë përballur të paktën një herë. Tani duhet vetëm të përmirësohemi.”
Iraola do të përballet me mikun e tij Mikel Arteta, por paralajmëroi se marrëdhënia personale kalon në plan të dytë kur nis ndeshja.
Ai gjithashtu minimizoi rezultatet e mira që kishte arritur ndaj Arsenalit gjatë kohës te Bournemouth.
“Kjo është një skuadër tjetër, me lojtarë të tjerë dhe në një moment tjetër. Nuk mund të përdorim të njëjtat mjete. Duhet të shfrytëzojmë sa më mirë cilësitë që kemi tani.”
Sipas Iraolës, sfida do të vendoset nga detajet.
“Duhet të fitojmë duelet individuale, të vrapojmë më shumë se ata, të jemi të fortë në ajër dhe në goditjet standarde. Arsenal është kampion dhe ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon.”
Trajneri i Liverpoolit veçoi gjithashtu faktorin Anfield si një nga armët më të mëdha të skuadrës së tij.
“Nuk ka të bëjë vetëm me fitoret. Kur skuadra jep gjithçka, tifozët janë gjithmonë me ne. Në stadiumin tonë kemi një avantazh të madh ndaj kundërshtarëve. Atmosfera që krijohet këtu është magjike.”
Iraola foli edhe për formën e Ryan Gravenberch dhe rotacionin e skuadrës, duke theksuar se ngarkesa e ndeshjeve kërkon ndryshime të vazhdueshme dhe se Liverpooli ka ende hapësirë për t’u përmirësuar.











