Cristian Chivu ka folur në prag të derbit të Milanos, duke pranuar se seria pa fitore e Interit ndaj kuqezinjve duhet të shërbejë si alarm për skuadrën.
“Nuk kemi fituar një derbi prej 6-7 ndeshjesh, ndaj duhet t’i bëjmë vetes një pyetje. Duhet të jemi të ekuilibruar, të motivuar dhe të sakrifikojmë më shumë. Skuadrat e nivelit të lartë nuk të falin asgjë”, deklaroi trajneri i Interit.
Chivu theksoi se në një derbi nuk ka favoritë dhe se renditja duhet lënë mënjanë.
“Ka krenari dhe ambicie. Presioni është për të gjithë, sepse e dimë çfarë do të thotë të fitosh apo të humbasësh një derbi. Duhet të dalim në fushë dhe të tregojmë versionin tonë më të mirë.”
Trajneri rumun kërkoi gjithashtu ekuilibër dhe qartësi taktike ndaj një Milani që, sipas tij, ka shumë cilësi teknike dhe shpejtësi.
“Gjithçka varet nga ekuilibri, si në këmbë ashtu edhe në kokë. E njohim Milanin, mënyrën si mban topin dhe shpejtësinë që ka. Duhet të jemi kompaktë dhe të dimë kur të ushtrojmë presion.”
Chivu foli edhe për kalendarin e ngjeshur, duke pranuar se luajtja çdo tre ditë nuk i jep shumë kohë skuadrës për të punuar në stërvitje, por shtoi se Interi është përmirësuar në organizim dhe në mënyrën si interpreton situatat gjatë ndeshjeve.
Për Thuram, trajneri u shpreh optimist:
“Po kalon një moment të mirë. Kur gjen ritmin, entuziazmin dhe besimin, bëhesh vendimtar. Jam i bindur se do ta ketë këtë energji edhe nesër.”
Chivu ka drejtuar dy derbi si trajner i ekipit të parë të Interit dhe i ka humbur të dy, ndërsa tani kërkon fitoren e parë ndaj Milanit në pankinën zikaltër.











