Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë pamje pas ndërhyrjes kirurgjikale në Itali, ku mjekët arritën t’i shpëtonin syrin e dëmtuar.
“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli”, është mesazhi që shoqëron publikimin e të riut, i cili po vijon rikuperimin pas operacionit të kryer në klinikën “Gemelli” në Romë.

Vishkulli mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestës, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Fillimisht ai u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente, ndërsa më pas u dërgua në Itali për trajtim më të specializuar.
Ndërhyrja kirurgjikale në Romë u realizua me sukses nga profesori Stanislao Rizzo, i cili arriti të hiqte trupin e huaj dhe të shpëtonte syrin e 28-vjeçarit. Megjithatë, rikthimi i plotë i shikimit mbetet ende i pasigurt dhe do të varet nga ecuria e mëtejshme e rikuperimit.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen e Vishkullit, si dhe për dyshimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestës.
Hetuesit kanë administruar pamjet filmike dhe dokumentacionin mjekësor, ndërsa pritet ekspertimi i materialit të hequr nga syri i 28-vjeçarit, për të përcaktuar natyrën e objektit që shkaktoi dëmtimin.
Rasti i Vishkullit ka nxitur reagime dhe mesazhe solidariteti, ndërsa i riu vijon betejën për rikuperimin e shikimit pas plagosjes në protestë.











