Protesta e studentëve kundër qeverisë pritet të marrë sot përmasa kombëtare, ndërsa të rinj nga rrethet po organizohen për t’iu bashkuar tubimit në Tiranë.
Krahas studentëve, në mbështetje të tyre janë rreshtuar edhe pedagogë, mjekë, stomatologë, farmacistë, artistë dhe përfaqësues të sindikatave, duke zgjeruar rrethin e zërave që kërkojnë përgjegjësi politike për situatën e krijuar.
Gjithashtu në shesh do të mblidhen edhe shqiptarët nga diaspora. Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin te kërkesa për dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Pedagogët pritet të mblidhen sot në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik, ndërsa në orën 14:00 është njoftuar bashkimi i grupeve të studentëve në protestën përpara Kryeministrisë.
Pjesëmarrje pritet të ketë edhe nga studentët e rretheve, të cilët janë solidarizuar me protestën në Tiranë.











