Fermín López ka folur në prag të El Clásicos, duke komentuar edhe ankesat e vazhdueshme të Real Madridit për arbitrimin.
Mesfushori i Barcelonës pritet të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në ndeshjet e ardhshme pas dëmtimit të Dani Olmos, ndërsa sfida e së dielës ndaj Real Madridit do të jetë testi i parë i madh.
“Në një ndeshje të tillë nuk ka favoritë. Çdokush mund të fitojë. Jemi dy skuadra të mëdha dhe duhet të përqendrohemi te loja jonë, të kontrollojmë emocionet dhe detajet e vogla”, deklaroi Fermín për “Teledeporte”.
I pyetur për ankesat e vazhdueshme të Real Madridit ndaj arbitrimit, 23-vjeçari nuk e fshehu qëndrimin e tij.
“Kjo retorikë ka filluar të lodhë pak. Ne po tregojmë nivelin tonë në fushë. Nuk është e drejtë të futesh në këto diskutime kur gjërat po na ecin mirë, por mua nuk më pëlqen të përfshihem në këto polemika dhe as pjesës tjetër të skuadrës.”
Fermín theksoi se Barcelona duhet të vazhdojë të përqendrohet vetëm te puna e saj, pa u ndikuar nga debatet jashtë fushës.
Mesfushori u pyet gjithashtu se cilin prej lojtarëve të Real Madridit do të preferonte të mos e kishte përballë në El Clásico.
“Courtois fiton shumë pikë me pritjet e tij, ndërsa Mbappé mund ta ndryshojë një ndeshje në çdo moment. Nëse do të mundja, do t’i hiqja të dy. Por Real Madridi ka shumë lojtarë të mirë dhe duhet t’i kontrollojmë të gjithë si skuadër.”











