Arsenali ka marrë një goditje të rëndë, pasi Bukayo Saka rrezikon të qëndrojë për një periudhë të gjatë jashtë fushave për shkak të dëmtimit që pësoi në sfidën e Champions League ndaj Bayern Munich.
Sipas “BBC”, ekzaminimet e para tregojnë se 25-vjeçari mund të mungojë të paktën gjashtë javë, ndërsa periudha e rikuperimit mund të shkojë deri në tetë javë.
Saka u detyrua të largohej nga fusha gjatë barazimit 2-2 në “Allianz Arena”, pasi pësoi një dëmtim në kuadriceps. Futbollisti do t’i nënshtrohet një tjetër rezonance magnetike për të përcaktuar më saktë shkallën e dëmtimit.
Prania e lëngjeve rreth muskulit të dëmtuar e ka bërë të vështirë përcaktimin e menjëhershëm të problemit.
“Na duhen edhe disa ekzaminime dhe mendimet e specialistëve. Kur një lojtar duhet të largohet nga fusha dhe e ka të vështirë të ecë pa dhimbje, nuk është një shenjë e mirë”, deklaroi Mikel Arteta.
Trajneri i Arsenalit konfirmoi se Saka do t’i nënshtrohet një tjetër rezonance përpara se klubi të japë një vlerësim përfundimtar.
Sulmuesi anësor do të mungojë me siguri në ndeshjen e Premier League ndaj Evertonit, ndërsa nëse parashikimet e para konfirmohen, ai mund të humbasë një seri ndeshjesh të rëndësishme si me Arsenalin, ashtu edhe me Anglinë.
Problemet fizike kanë qenë të shpeshta për Sakan gjatë muajve të fundit. Sezonin e kaluar ai pati probleme me tendinën e Akilit, ijen dhe muskujt e pasëm të kofshës, ndërsa në sezonin 2024-25 iu desh të qëndronte 101 ditë jashtë pas një operacioni.
Këtë sezon, Saka ka realizuar katër gola në 11 paraqitje, ndërsa mungesa e tij për një periudhë të gjatë do të ishte një problem i rëndësishëm për Artetën në një moment vendimtar të sezonit.











