Michael Carrick ka këmbëngulur se Manchester United e ka lënë pas polemikën e krijuar nga deklaratat e Lisandro Martinez pas humbjes 2-0 ndaj Atletico Madridit në Champions League.
Mbrojtësi argjentinas kritikoi hierarkinë e klubit pas sfidës, duke vendosur në qendër të vëmendjes drejtorin e futbollit Jason Wilcox. Martinez më pas kërkoi falje për momentin kur i bëri deklaratat, por jo për përmbajtjen e tyre.
Reagimet nga ish-lojtarët e United kanë qenë të forta. Wayne Rooney paralajmëroi se fjalët e Martinez mund të “çajnë dhomën e zhveshjes”, ndërsa edhe Roy Keane dhe Gary Neville kanë komentuar situatën.
Carrick, megjithatë, mohon që grupi të jetë destabilizuar.
“Ka shumë njerëz që flasin nga jashtë, ish-lojtarë ose jo, por kjo nuk do të thotë se e dinë çfarë po ndodh këtu. Unë po ju them të vërtetën. Skuadra sot ishte në një gjendje fantastike, më të mirë se ç’e kam parë prej kohësh.”
Trajneri i United shtoi se shpërthimet emocionale mund të ndodhin në një ambient me shumë presion, por këmbënguli se ato nuk kanë ndikuar te atmosfera brenda grupit.
“Ne kërkojmë pasion, emocion dhe zjarr nga lojtarët. Ndonjëherë dikush thotë diçka në momentin e gabuar, por kjo nuk na largon nga ajo që po ndërtojmë. Skuadra nuk është prekur, po ju them.”
Carrick konfirmoi gjithashtu se Martinez do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e së dielës ndaj Leeds United në “Elland Road”.
Manchester United vjen në këtë sfidë pas pesë ndeshjesh radhazi pa fitore, ndërsa presioni ndaj Carrick është rritur ndjeshëm.
“Nuk kam nevojë unë për rezultate, kemi nevojë të gjithë. Manchester United është shumë më i madh se çdo individ, më i madh se unë dhe çdo lojtar. Gjithçka ka të bëjë me klubin dhe atë që përfaqëson.”
Sa i përket Benjamin Sesko, Carrick bëri të ditur se sulmuesi po kryen ende kontrolle dhe se nuk ka një afat të qartë për rikthimin e tij.










