Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave dhe akteve të dhunës të shënuara në Tiranë gjatë dy ditëve të fundit. Nga godina e djegur të Kolegjit të Europës, Rama deklaroi se studentët nuk janë përgjegjës për aktet e dhunës, ndërsa i ftoi ata për dialog, diskutim dhe gjetjen e zgjidhjeve për problematikat që kanë ngritur.
Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se qëndron pas sulmeve ndaj institucioneve dhe trazirave në kryeqytet, duke e lidhur situatën me përpjekjet për të penguar rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Studentët janë e ardhmja, shohin larg dhe duan të shkojnë më larg e më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri drejtoi akuza ndaj opozitës, duke deklaruar se ajo synon ta kthejë vendin pas.
“Këto janë duar që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë. Kërkojnë ta rikthejnë në humnerën nga ku e nxorëm dhe ku po e ngjisim, drejt ëndrrës së brezave, BE-së”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama paralajmëroi gjithashtu se personat përgjegjës për aktet e dhunës do të përballen me ligjin, duke theksuar se askush nuk do të jetë mbi përgjegjësinë ligjore.
“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit. Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas”, tha ai.
Në përfundim, kryeministri u shpreh se, pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit, vendi do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian.
“E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Rama.











