Një 41-vjeçar nga Vlora është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se për rreth dy vite ka kanosur vazhdimisht një 73-vjeçar, me qëllim që t’i merrte një shumë parash.
Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari, me inicialet I. Sh., dyshohet se e kanoste të moshuarin që prej vitit 2024, duke i kërkuar para që pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Pas kallëzimit të bërë nga 73-vjeçari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kryen hetime me metoda speciale, të cilat çuan në identifikimin dhe arrestimin e 41-vjeçarit.
Policia bën me dije se i arrestuari ka precedent penal për krime kundër personit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.











