Bayern Munich po përgatit një ofertë historike për të blinduar Michael Olise dhe për ta larguar përfundimisht nga radarët e Real Madridit.
Sipas Sky Germany, kampionët gjermanë synojnë t’i zgjasin kontratën francezit nga viti 2029 deri në 2032, duke e bërë potencialisht lojtarin më të paguar të skuadrës.
Olise përfiton aktualisht rreth 14 milionë euro në sezon, ndërsa marrëveshja e re mund ta çojë pagën e tij mbi 25 milionë euro, shifër që aktualisht lidhet me Harry Kane dhe Jamal Musiala.
Lëvizja e Bayernit lidhet edhe me interesimin e Real Madridit, që vazhdon ta monitorojë nga afër anësorin francez.
Megjithatë, Olise ka vendosur një kusht të rëndësishëm për rinovimin: përfshirjen e një klauzole largimi. Agjenti i tij, Glen Tweneboah, e konsideron këtë pikë thelbësore, edhe pse Bayern zakonisht nuk preferon të përfshijë klauzola të tilla në kontratat e lojtarëve.
Në diskutime është përmendur një klauzolë që mund të kalojë 200 milionë euro.
“Michael është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme me ne dhe aktualisht është një nga lojtarët më të mirë në botë. Ka kontratë deri në 2029, ndaj nuk kemi presion”, deklaroi drejtori sportiv Christoph Freund.
Bayern pritet të përshpejtojë negociatat pasi të përfundojë çështjen e rinovimit të Harry Kane, ndërsa në Madrid konsiderohet e mundshme që Olise të vazhdojë në Allianz Arena.











