Një mbrëmje me shumë prej emrave më të njohur të politikës, drejtësisë dhe institucioneve shqiptare u zhvillua në një hotel në zonën e ish-Bllokut, ku Ambasada Amerikane organizoi pritjen e mirëseardhjes për ambasadorin e ri të SHBA-së, Eric Wendt.
Rreth 130 persona ishin pjesë e aktivitetit, mes tyre Presidenti Bajram Begaj, ministra, deputetë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.
Në mesin e të ftuarve u shfaqën edhe përfaqësues të opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, mbërriti së bashku me deputetët Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Belind Këlliçi.
Nga mazhoranca, në ceremoni mori pjesë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Në aktivitet u panë gjithashtu Elisa Spiropali dhe Bledi Çuçi.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk kishte marrë ftesë për pritjen. Mungesa e tij nuk ishte e papritur, pasi Berisha kishte deklaruar disa ditë më parë se nuk ishte ftuar në aktivitetin e organizuar nga Ambasada Amerikane.
Ndërkohë, në hotel vijuan të mbërrinin njëri pas tjetrit edhe anëtarë të qeverisë. I pranishëm ishte ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa më pas u shfaqën Enea Karakaçi, Blendi Gonxhe, Toni Gogu dhe Mirela Kumbaro.
Lista e të ftuarve nuk u kufizua vetëm te politika. Në pritje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, mes tyre prokurori Altin Dumani dhe kryepolici Skender Hita.
Dumani, ish-drejtues i SPAK-ut, është një prej figurave shqiptare që ka marrë edhe dekoratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në një ceremoni të zhvilluar në SHBA.
Në aktivitet ishte gjithashtu Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, duke e zgjeruar listën e të ftuarve përtej politikës dhe institucioneve shtetërore.
Pritja u zhvillua nën masa të forta sigurie, ndërsa gjatë mbrëmjes vijuan mbërritjet e personaliteteve të tjera.











