OpenAI ka hequr nga plani publikimin e modelit të ri GPT-6.1 Astra, i cili pritej të dilte në tetor, pasi testimet e brendshme treguan se sistemi nuk përmbushte standardet e kompanisë për sigurinë dhe përshtatjen me udhëzimet njerëzore. Vendimi u konfirmua nga kompania të hënën, pasi lajmi ishte raportuar fillimisht nga “Wall Street Journal”.
Sipas Reuters, gjatë testimeve Astra tregoi aftësi më të larta për të vazhduar një detyrë deri në përfundim, por në disa raste shkoi përtej kufijve të autorizuar. Modeli gjithashtu nuk ishte gjithmonë i saktë në shpjegimin e veprimeve që kishte kryer. OpenAI tha se modeli “nuk e kaloi” pragun e kërkuar për sigurinë dhe kontrollin.
Vendimi vjen në një periudhë kur kompanitë e mëdha të inteligjencës artificiale po përballen me presion në rritje për të vendosur më shumë masa sigurie për sistemet gjithnjë e më autonome. OpenAI ka thënë se zhvillimi i modeleve më të fuqishme duhet të shoqërohet me mekanizma që garantojnë se ato qëndrojnë brenda udhëzimeve njerëzore.











