Italia ka reaguar menjëherë pas humbjes ndaj Belgjikës, duke mposhtur 4-1 Turqinë në transfertë në Nations League. Skuadra e Roberto Mancinit zhvilloi një pjesë të parë të shkëlqyer dhe e mbylli praktikisht ndeshjen brenda 27 minutave.
Mancini ndryshoi plot tetë lojtarë nga formacioni i ndeshjes së kaluar dhe zgjedhjet e tij dhanë rezultat. Bastoni zhbllokoi sfidën në minutën e 9-të pas një goditjeje këndi, ndërsa Italia vazhdoi të dominonte me ritëm të lartë dhe qarkullim të shpejtë të topit.
Goli i dytë erdhi pas një aksioni të bukur me shumë pasime të shpejta, të përfunduar nga Frattesi. Pak më vonë, Michael Kayode realizoi golin e tretë, duke festuar në mënyrën më të mirë debutimin e tij me Kombëtaren italiane.
Mbrëmja ishte e veçantë edhe për vëllezërit Sebastiano dhe Pio Esposito, të cilët u aktivizuan së bashku nga minuta e parë. Një gjë e tillë nuk ndodhte me Italinë prej 111 vitesh.
Turqia provoi të reagojë në fillimin e pjesës së dytë dhe Yilmaz ngushtoi rezultatin pas një gabimi të Donnarummas, por shpresat e vendasve zgjatën shumë pak. Pio Esposito realizoi menjëherë më pas me kokë, pasi goditja e Tonalit ishte ndalur nga shtylla, duke vulosur rezultatin 4-1.
Fitorja rikthen menjëherë besimin te Italia dhe i jep Mancinit suksesin e parë që prej rikthimit në stol. Tani “Azzurrët” kanë përpara një provë shumë më të vështirë, pasi të premten do të përballen me Francën në Paris.











