Vozinha u bë një nga emrat më të përfolur të Botërorit 2026, por fama e fituar gjatë turneut nuk i ka sjellë vetëm gjëra pozitive. Portieri i Kepit të Gjelbër ka pranuar se jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht dhe se sot i mungojnë qetësia dhe privatësia që kishte më parë.
Ai tërhoqi vëmendjen sidomos në ndeshjen ndaj Spanjës, ku mbajti portën e paprekur përballë kampionëve të ardhshëm të botës. Paraqitjet e tij vazhduan të impresiononin edhe në ndeshjet e tjera, ndërsa Kepi i Gjelbër i vuri në vështirësi edhe Argjentinën.
Pas Botërorit, popullariteti i Vozinhas shpërtheu në rrjetet sociale dhe emri i tij u lidh edhe me një transferim te Inter Miami. Megjithatë, portieri përfundoi te Colo Colo, ku ka luajtur tre nga nëntë ndeshjet e mundshme deri tani. Kontrata e tij zgjat deri në dhjetor dhe përfshin një klauzolë rinovimi nëse aktivizohet në të paktën 50% të ndeshjeve.
Por problemi më i madh për të nuk është situata sportive. Në një intervistë për “The Observer”, Vozinha tregoi se fama i ka marrë një pjesë të madhe të jetës private.
“Kam humbur qetësinë. Nuk kam më privatësi, ose të paktën shumë më pak se më parë. Dal në restorant dhe gjithmonë ka dikë që kërkon foto, autograf ose më filmon”, tha ai.
Portieri tregoi gjithashtu se e kuptoi përmasën e famës së tij pikërisht pas ndeshjes me Spanjën, kur një gazetare i tregoi se kishte kaluar shifrën e një milion ndjekësve në Instagram.
Megjithatë, disa muaj më vonë, Vozinha pranon se do të preferonte jetën e vjetër. “Shumë njerëz duan të jenë të famshëm, por shohin vetëm anën pozitive. Nëse do të më duhej të zgjidhja mes jetës që kam sot dhe asaj që kisha më parë, do të zgjidhja të mëparshmen”, përfundoi ai.











