Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë ndarë një raport me vende të ndryshme evropiane, i cili sugjeron një operacion të mundshëm rus me dronë në dëm të Spanjës, Francës dhe Italisë.
Informacioni është zbuluar nga gazetari Xavier Colas, ish-korrespondent nga Rusia për gazetën e njohur spanjolle “El Mundo”.
Alarmi e ka origjinën tek vizita që shefi i CIA-s, John Ratcliffe zhvilloi në gusht në Moskë dhe parashtron një skenar të qartë sulmi: dronë të qëlluar nga anije tregtare të kamufluara.
Sipas informacioneve të mbledhura nga burime anonime në Ministrinë lituane të Mbrojtjes dhe të raportuara nga “El Mundo”, pajisja me të cilën do të kryen sulmet është “Gerbera”, një dron rus thuajse dy metra i gjatë dhe që peshon 18 kilogramë, në gjendje të udhëtojë deri në 600 kilometra me një shpejtësi rreth 160 kilometra në orë.
Ngarkesa e tij me eksploziv, e llogaritur nga 4 deri në 5 kilogramë, nuk ka kapacitete të shkaktojë shkatërrim masiv, por ka një efekt simbolik dhe kaotik; si për shembull mbylljen e përkohshme të një aeroporti, shkaktimin e një zjarri, apo të tregojë se Moska mund të godasë Evropën pa qenë nevoja të kalojë ndonjë kufi tokësor.
Kjo metodë nuk është një hipotezë e largët. Kremlini e ka testuar lëshimin e dronëve nga platformat detare edhe më parë. Vetëm shkurtin e kaluar, një njësi detare suedeze konstatoi një dron të nisur nga një anije e inteligjencës ruse në ngushticën Oresund.
Shtoi kësaj edhe sulmin e fundit me dron të pajisur me eksploziv në aeroportin e Lajpcigut, në Gjermani, të cilin Berlini zyrtar ia atribuon Rusisë, si dhe rastin e 19 dronëve që fluturuan në hapësirën ajrore polake një vit më parë.
Logjika e Kremlinit, sipas të dhënave të shqyrtuara nga gazeta spanjolle, udhëhiqet jo nga afërsia gjeografike, por nga cënueshmëria politike e vendeve të jugut të Evropës, që kanë edhe elementë pro-rusë në radhët e tyre.











